Displazia zhvillimore koksofemorale-luksacioni i kukave tek femijet (DZHK)

Është sëmundja më e shpeshtë kongjenitale e skeletit, e karakterizuar nga paqëndrueshmëria e artikulacionit për shkak të laksitetit të kapsulës artikulare dhe ligamenteve që e rrethojnë artikulacionin apo për shkak të displazisë së lindur të folesë acetabulare. \"Displazia

Vërehet një keqformim i kërcit acetabular dhe kontrakturë muskulotendinoze rreth artikulacionit. Ndryshimet në kocka dhe indet e buta tentojnë të rëndohen me kalimin e moshës dhe kthehen në permanente nëse sëmundja lihet pa trajtim. Vetëm në 2% të rasteve ka një dalje të mirëfilltë të kokës femorale nga foleja acetabulare. Sëmundja është mjaft e shpeshtë në vendet që lagen nga deti Mesdhe, (rreth 10 në çdo 1000 fëmijë) dhe seksi femër preket rreth tre-katër herë më shpesh se meshkujt.

Vendi ynë rrjeshtohet në vendet me sëmundshmëri në shifra edhe më të larta prandaj rëndësi të veçantë merr identifikimi dhe referimi tek mjeku specialist ortoped i të ashtuquajturve “fëmijë të riskuar”. Këtu përfshihen fëmijë nga lindje podalike, lindje të vonuara apo mbipeshë, binjakët, fëmijë me të afërm me DZHK, bebet me çfarëdolloj patologjie tjetër të lindur psh polidaktili (gjashtë gishta kembësh)etj.

Simptomat

Për fat të keq displazia zhvillimore koksofemorale nuk ka shenja të dukshme klinike në të porsalindurit e për këtë arsye të gjithë neonatët duhen vizituar klinikisht për praninë e laksitetit të artikulacionit koksofemoral duke performuar teste të veçanta diagnostike si Ortolani apo Barlou. Pas moshës së ecjes ajo manifestohet me çalim, që është edhe shenja më dramatike e që tregon se diagnoza është shumë e vonuar. Disa shenja alarmi si asimetria e palave të lëkurës apo një kufizim i hapjes së kofshëve në bebet e muajve të parë të jetës duhet të na bëjnë që fëmija të vizitohet sa më parë nga specialisti ortoped.

Diagnoza

Në ditët tona i një rëndësie të veçantë është egzaminimi ekografik i artikulacionit koksofemoral, i cili përveçse është krejt i padëmshëm lejon vizualizimin perfekt të indeve të buta duke u bërë mjeti kryesor i parandalimit të kësaj sëmudjeje në të gjithë botën. Pas muajit të tretë të jetës radiografia e baçinit na jep të dhëna më të sakta. Të dy testet duhet të interpretohen nga specialistë me përvojë të madhe.

Trajtimi

Konsiston në vendosjen dhe mbajtjen e kokës femorale në brendësi të acetabulit dhe varet jashtëzakonisht nga mosha në të cilin ai fillohet. Në mosha të vogla dhe raste të lehta do të mjaftonte përdorimi i “pelenave”  apo jastëkëve të posaçëm për disa muaj. Në rastet e luksacioneve apo kur sëmundja diagnostikohet në moshë të madhe, mjekimi bëhet më i vështirë dhe kalon përmes imobilizimeve në gips dhe/ose interventeve të vështira dhe mjaft impenjative në indet e buta apo kockat e baçinit.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *