Si ti parandalojmë dhe trajtojmë lëndimet muskulore ?

Lëndimet muskulore ( ndrydhjet dhe zgjatjet muskulore) janë lëndimet akute muskulare më të shpeshta që paraqiten në të gjitha disiplinat sportive, por jo edhe vetëm tek sportet por edhe në aktivitetet tjera të përditëshme. Këto lëndime muskulore përfaqësojne rreth 25% të traumave të sportit.

\"lendimet_muskulore1\"

Traumat muskulare ndahen në:
♦ Trauma direkte
♦ Trauma indirekte

Gjatë traumave direkte ai që provokon dëmtimin është një agjent i jashtëm (një goditje në futboll, një rrëzim etj), i cili provokon këputjen e një numri fijesh muskulare. Sa më e madhe të jetë energjia e traumës, aq më i madh është dëmtimi muskular. Sa herë dëmtohet një fije muskulare, thuajse gjithmonë ka edhe rrjedhje gjaku në zonën përreth dëmtimit (hematomë), e cila jo gjithmonë është e dukshme, sepse gjaku grumbullohet në pjesët më të thella.

Në traumat indirekte, që janë më të shpeshta, është vetë pacienti që provokon dëmtimin: hipertonitë muskulare, kontraksionet shumë të shpejta, lëvizjet ekstreme të anësisë, metodat e gabuara të stërvitjes mund të jenë disa nga shkaqet e dëmtimeve të tilla. Në varësi të llojit të dëmtimit anatomik mund të bëhet fjalë për një kontrakturë, një ndrydhje, një zgjatje apo një këputje të gradës I, II ose III.

Simptomat

Simptomat ndryshojnë sipas llojit të dëmtimit. Gjatë traumave direkte atleti ndjen një dhimbje të fortë akute në zonën e goditur, e cila shtohet gjatë shtypjes me gisht. Në pjesën më të madhe të rasteve sportisti është i detyruar ta ndërpresë garën menjëherë pas dëmtimit. Gjatë kontrakturave sportisti vë re një \”forcim\” përparues të muskulit, me dhimbje progresive gjatë kontraktimit. Në disa raste të tilla mund të jetë e nevojshme të ndërpritet gara po ndeshja. Gjatë ndrydhjeve vihet re një zgjatje muskulare jonormale, e cila pasohet nga një dhimbje akute në zonën e lenduar. Në raste të tilla sportisti nuk është në gjendje të vazhdojë garën/lojën.

Përsa i përket këputjeve muskulare (\”Tear\”), qofshin këto të gradës I, II apo III, ato përbëjnë një traumë sportive shumë serioze, e cila duhet trajtuar sa më shpejt të jetë e mundur. Sportisti ndjen një \”fshikullim\” të dhimbshëm dhe përnjëherësh nuk arrin ta lëvizë anësinë. Shpesh është e nevojshme të ndihmohet për të dalë nga fusha. Simptomatologjia ndryshon në varësi të lokalizimit të dëmtimit.

Diagnoza

Është vetë pacienti i cili duke referuar mënyrën e dëmtimit dhe problemet që ndjen gjatë traumës, na orienton drejt një diagnoze fillestare të përafërt. Traumat muskulare të lehta ose mesatare diagnostikohen me teste specifike per muskujt e caktuar mirpo mund të përdoren edhe ekografia dhe rezonanca magnetike. Gjatë traumave të mëdha dhe/ose këputjeve muskulo-tendinoze, rezonanca magnetike mbetet ekzaminimi parësor.

Terapia

\"lendimet_muskulore\"

Menjëherë pas traumës trajtimi kryhet sipas termit anglisht R.I.C.E., d.m.th. pushim, akull, shtypje dhe ngritje lart e anësisë së dëmtuar. Funksioni i akullit është që nëpërmjet mekanizmit të ngushtimit të enëve të gjakut të parandalojë rrjedhjen e gjakut prej fijeve muskulare të dëmtuara dhe formimin e hematomës.

Aplikimi i akullit duhet bërë me ndërprerje (për 10-15 minuta çdo orë), për të mos shkaktuar një ftohje të tepërt të zonës së trajtuar, e cila mund të ketë efekte të dëmshme.

Mund të përdoren menjëherë antiinflamatorë josteroidë nga goja. Nuk këshillohet përdorimi i pomadave apo kremrave menjëherë pas traumës. Është e qartë që terapia që do të ndiqet në ditët në vazhdim dhe do të varet nga shkalla e dëmtimit.

\"masazha_muskulore\"

Sidoqoftë, pushimi është gjithmonë i këshilluar. Përsa i përket trajtimit me fizioterapi, prirja e sotme është që ky të fillohet sa më shpejt të jetë e mudur, për të parandaluar shfaqjen e problemeve (nganjëherë serioze) që lidhen me fenomenin e riparimit fibrotik (cikatricet muskulare).

Ndër terapitë më të vlerësuara, përveç masazhit sipërfaqësor dhe të thellë, janë edhe përdorimi i rrymave fizioterapeutike dhe hipertermia.

Rifillimi i aktivitetit fizik duhet përcaktuar nga fizioterapeuti, nëpërmjet ekzaminimeve klinike dhe ekografike, dhe nga fakti se si ndihet vetë pacienti, i cili duhet ta shmangë rifillimin qoftë edhe gradual të aktivitetit sportiv edhe nëse ndjen dhimbje fare të lehta pa këshillen e mjekut profesionist.

Për këshilla shtesë apo për ndonje pyetje tjetër na kontaktoni. Fizio Plus

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *